
mbledhjet e Qeverisë së Kosovës, janë aprovuar gjithsej 17 nisma për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, 10 prej të cilave janë nisma për marrëveshje financiare me vende të ndryshme, ratifikimi i të cilave nuk është bërë ende nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Nëse disa prej këtyre marrëveshjeve nuk ratifikohen së shpejti mund të humben miliona euro të ndara nga Bashkimi Evropian dhe institucionet tjera ndërkombtare për Kosovën.
Njëra prej nismave është edhe ajo për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore e përfaqësuar nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për financimin e “Projekti emergjent COVID-19 për Kosovën” (MFT), që është në vlerë prej 50 milionë dollarëve.Për fillimin e zbatimit të projektit Banka Botërore ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës, që kjo marrëveshje të ratifikohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Në mënyrë që të fillojë zbatimi i projektit, Kuvendi i Kosovës duhet të ratifikojë marrëveshjen me Bankën Botërore me një shumicë prej 2/3 të të gjithë deputetëve. Ne presim mbështetjen e fortë të të gjithë deputetëve në mënyrë që kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në komunikatën e Bankës Botërore.
Gjithashtu Zyra e Bashkimit Evropian, shefat e misioneve të BE-së, ambasadorët e Norvegjisë, Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar, shefi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Kosovën dhe ai Bankës Botërore, me anë të një deklarate publike kanë kërkuar që të ratifikohen marrëveshjet financiare të negociuara me BE-në.Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ditë më parë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, tha se nuk ka disponim tek disa grupe parlamentare që këto marrëveshje të procedohen tutje në Kuvend, meqë për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare duhen patjetër 2/3 e votave të deputetëve.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani
“Janë disa marrëveshje ndërkombëtare të cilat i ka proceduar Qeveria e Kosovës, meqë këto marrëveshje kërkojnë 2/3 e votave, nuk ka disponim që këto marrëveshje të procedohen menjëherë. Ka pas mirëkuptim tek disa, ka një gatishmëri që të paktën disa prej grupeve parlamentare të ulemi e të bisedojmë që të gjejmë një zgjidhje pasi disa prej tyre kanë afat të caktuar brenda të cilit mund të përfitojmë me fonde”, tha Osmani gjatë konferencës për medie pas mbajtjes se mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Eksperti i ekonomisë, dhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nëse nuk ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare financiare në Kuvendin e Kosovës, atëherë rrezikohet që Kosova dëmtojë partneritetin me institucionet ndërkombëtare me të cilat ka marrëveshje dhe natyrisht do të humbte edhe miliona mjete financiare të dedikuara për Kosovën, si ndihmë për tejkalimin e krizës ekonomike si pasojë e COVID-19.

0 Comments